Hajnat herë të vetëm e herë në grup, po arrijnë të kryejnë vjedhje e grabitje, gjithandej vendit.
Taksistët jo rrallëherë janë cak i tyre, siç ndodhi me një rast në fillim të këtij muaji, në Vranjevc të Prishtinës. I dyshuari për grabitjen e shoferit të kompanisë ‘Roberti Taxi’ tashmë është zbuluar, raporton Gazeta Sinjali.
Policia e ka konfirmuar arrestimin e tij, ndërsa Sinjali ka zbuluar identitetin e hajnit të dyshuar.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, personi i ndaluar për këtë rast është Arsim Haxholli, 35-vjeçar.
Ai po dyshohet se nën kërcënimin e thikës, ka arritur t’i grabis 100 euro dhe sipas informacioneve të para, bashkë me të ka qenë edhe një person tjetër.
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
Sot nga njësite policore të stacionit veriu në Prishtinë, pas kompletimit të rastit nga ana e hetuesve dhe përfundimit të intervistimit në prokurori, është dërguar në mbajtje një person i dyshuar për veprën grabitje, që ka ndodhë me datën 05.10.2024, në rrugën “27 Nëntori” në Prishtinë.
Ndaj personi të dyshuar : – A.H . mashkull, 35 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, hetuesit policor po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore para se rasti të procedohet më tej.” – njoftoi Policia.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.